Tatimet dhe ligji

Paketa fiskale 2027: çfarë ndryshon për pagat, dividendët, TVSH-në dhe makinat, dhe çfarë hoqi qeveria më 28 tetor?

Paketa fiskale 2027 e depozituar në Kuvend: TVSH 21%, 6% për ushqimet bazë, dividendi 15%, pagat mbi 700 000 lekë me 30% dhe pragu i TVSH-së 5 milionë lekë.

Publikuar më · Përditësuar më

Rishikuar nga Klevis Ndoka, Product Owner

Paketa fiskale 2027 janë pesë projektligje që Këshilli i Ministrave depozitoi në Kuvend më 28 tetor 2026, bashkë me buxhetin. Asnjëri nuk është ligj ende. Siç janë depozituar, ato ulin tatimin për pagat bruto mbi 200 000 dhe deri në rreth 842 857 lekë në muaj, shtojnë normën 30% mbi 700 000 lekë, e rrisin tatimin mbi dividentin nga 8% në 15% dhe TVSH-në standarde nga 20% në 21%, ndërsa për ushqimet bazë e ulin TVSH-në në 6%. Hiqet taksa e karburantit dhe rritet taksa vjetore e makinave. Pragu i TVSH-së zbret në 5 milionë lekë me një vendim të veçantë të qeverisë.

Projektligjet i lexuam në tekstin e depozituar në Kuvend, bashkë me relacionet e tyre dhe relacionin e buxhetit 2027. Ndryshimet e fundit janë të 28 tetorit: qeveria hoqi rritjen e tatimit mbi fitimin në 17% dhe uli normën e re të pagave nga 32% në 30%, që të dyja në draftet që kishin dalë një ditë më parë në media. Sipas nesh, puna më e sigurt para 1 janarit është listëpagesa e janarit 2027; ndryshimi që prek më shumë biznese të vogla është pragu i TVSH-së, i cili s’ka nevojë për votim në Kuvend.

Paketa fiskale 2027: pesë projektligje dhe një vendim qeverie

Paketa ndryshon pesë ligje. Pragu i TVSH-së ndryshohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndaj nuk kalon në Kuvend.

Akti Ligji që ndryshon Ndryshimet kryesore Hyrja në fuqi, siç është propozuar
Projektligji për tatimin mbi të ardhurat nr. 29/2023 shkallët e pagave 13%, 23% dhe 30%; dividendi 15%; huatë e ortakëve si dividend 15 ditë pas botimit, efektet nga 1.1.2027
Projektligji për TVSH-në nr. 92/2014 21% standarde; 6% për ushqimet bazë; 10% për akomodimin 15 ditë pas botimit, efektet nga 1.1.2027
Projektligji për procedurat tatimore nr. 9920/2008 gjoba 10% për pagesat cash mbi kufirin edhe me konsumatorët; parapagimet në mbledhje me forcë 15 ditë pas botimit, pa datë 1 janari
Projektligji për taksat kombëtare nr. 9975/2008 hiqet taksa e karburantit; taksa vjetore e makinave afërsisht dyfishohet 15 ditë pas botimit, efektet nga 1.1.2027
Projektligji për akcizat nr. 61/2012 kalendar i akcizës së duhanit deri në 2033; biodizeli me litër 15 ditë pas botimit, efektet nga 1.1.2027
Projektvendimi për pragun e TVSH-së VKM nr. 953/2014 pragu i regjistrimit nga 10 në 5 milionë lekë me botimin, efektet nga 1.1.2027

Ndryshimet e fundit: çfarë hoqi qeveria më 28 tetor

Më 27 tetor mediat publikuan draftet dhe relacionet e para. Teksti që u depozitua në Kuvend më 28 tetor ndryshon prej tyre në këto pika:

Masa Draftet e 27 tetorit (media) Teksti i depozituar më 28 tetor
Tatimi mbi fitimin nga 15% në 17% mbetet 15%
Norma më e lartë e pagave 32% mbi 700 000 lekë bruto 30%
Sponsorizimet kufi i ri 3% i xhiros dhe autorizim nga DPT nuk ndryshojnë
Huatë dhe paradhëniet për ortakët s’përmendeshin trajtohen si dividend kur janë shpërndarje e tërthortë e fitimit
Gjoba për dokumentacionin e çmimeve të transferimit 100 000 deri në 150 000 lekë 100 000 lekë
Taksa e karburantit dhe e makinave s’ishte në draftet e publikuara projektligj i pestë më vete
Të ardhurat shtesë për buxhetin rreth 14 miliardë lekë 4.4 miliardë lekë, sipas relacionit të buxhetit

Për agroturizmin ka ende paqartësi. Draftet e para e përfshinin te norma 10%, ndërsa projektligji i depozituar ndryshon vetëm pikat 3 dhe 4 të nenit 49 të ligjit të TVSH-së: akomodimin në strukturat akomoduese dhe hotelet me pesë yje me status special. Agroturizmi nuk përmendet në tekstin e depozituar, ndaj duket se mbetet me normën e sotme; kjo duhet konfirmuar me tekstin përfundimtar.

Tatimi mbi pagat 2027: 13%, 23% dhe 30%

Neni 3 i projektligjit zëvendëson shkallën e nenit 24 të ligjit 29/2023 me tri norma mbi bazën tatimore vjetore:

  • 13% deri në 3 240 000 lekë;
  • 23% nga 3 240 001 deri në 8 040 000 lekë;
  • 30% mbi 8 040 000 lekë.

Sot shkalla 13% mbaron te 2 040 000 lekë. Zbritja prej 30 000 lekësh në muaj nuk ndryshon, ndaj në pagë bruto mujore pragjet e reja janë 300 000 dhe 700 000 lekë. Sipas relacionit të buxhetit, 25 704 punonjës paguajnë më pak dhe 1 293 kalojnë në shkallën 30%.

Tabela më poshtë jep tatimin mbi të ardhurat personale (TAP) për një pagë mujore. Llogaritjen e bëmë ne, me shkallët e projektligjit dhe me rregullat e sotme për zbritjen; kontributet nuk ndryshojnë.

Paga bruto mujore TAP sot (2026) TAP me projektligjin Diferenca në muaj
150 000 lekë 15 600 lekë 15 600 lekë 0
250 000 lekë 33 600 lekë 28 600 lekë -5 000 lekë
300 000 lekë 45 100 lekë 35 100 lekë -10 000 lekë
500 000 lekë 91 100 lekë 81 100 lekë -10 000 lekë
700 000 lekë 137 100 lekë 127 100 lekë -10 000 lekë
1 000 000 lekë 206 100 lekë 217 100 lekë +11 000 lekë

Kursimi maksimal është 10 000 lekë në muaj, ose 120 000 lekë në vit. Mbi 700 000 lekë çdo lek shtesë tatohet me 7 pikë përqindjeje më shumë se sot, ndaj kursimi zhduket te rreth 842 857 lekë bruto.

Projektligji shton edhe një përjashtim të ri (neni 11, shkronja “gj”): të ardhurat personale të individëve dhe të të vetëpunësuarve të vetëm me statusin e personit të verbër, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të personit me surdomutizëm ose të invalidit të punës nuk tatohen.

Pagën tuaj sipas ligjit në fuqi dhe sipas projektligjit e krahasoni te kalkulatori i pagës: me “Krahaso 2026 me 2027” merrni TAP-in, neton dhe diferencën në muaj e në vit, me një imazh PNG për ta ndarë, ndërsa “Projektligji 2027” llogarit edhe nga neto në bruto. Për koston e plotë të punonjësit, me kontributet që nuk ndryshojnë, shihni sa kushton një punonjës në 2026.

Dividendi 15%, tatimi mbi fitimin mbetet 15%

Tatimi mbi dividentin rritet nga 8% në 15% (neni 41 i ligjit, i ndryshuar nga neni 5 i projektligjit), dhe norma e tatimit në burim te neni 59 bëhet 15%. Për çdo 1 000 000 lekë dividend, tatimi rritet nga 80 000 në 150 000 lekë. Për një fitim të shpërndarë të gjithin, tatimi i përgjithshëm shkon nga rreth 21.8% në 27.75% (15% fitimi dhe 15% mbi 85% që mbetet; llogaritja është jona).

Rregulli i ri te neni 3, pika 19, shkronja “e”, e mbyll rrugën e huave. Paradhëniet, huatë ose financimet e tjera që shoqëria u jep ortakëve apo aksionarëve trajtohen si dividend kur nuk janë transaksione financiare reale, por në thelb shpërndarje e tërthortë e fitimit. Para mbylljes së vitit, kontrolloni saldot e llogarive me ortakët.

Tatimi mbi fitimin mbetet 15%, sepse projektligji nuk e prek normën. Norma 0% për bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë është ligj në fuqi dhe mbetet deri më 31 dhjetor 2029; paketa nuk e ndryshon. Formulari dhe afatet e deklaratës vjetore janë te deklarata e tatimit mbi fitimin.

Ndryshon edhe dorëzimi i pasqyrave financiare. Kush ka detyrimin t’i depozitojë në QKB, i depoziton vetëm atje, dhe QKB-ja ia përcjell elektronikisht administratës tatimore. Pasqyrat e vitit tatimor 2026 depozitohen ende në të dyja vendet (neni 61, pika 5, siç ndryshohet nga neni 7). Afatet janë te pasqyrat financiare 2026.

TVSH 2027: 21%, 6% për ushqimet bazë dhe 10% për akomodimin

Projektligji i TVSH-së ndryshon tri norma:

  • 21% në vend të 20%, si normë standarde (neni 48).
  • 6% për ushqimet bazë (pika e re 11 e nenit 49): bukë dhe miell, qumësht dhe kos natyral, vezë, oriz, makarona, vaj ushqimor, mish pule, mish viçi dhe derri, peshk bazë, fruta dhe perime të freskëta, bishtajore, sheqer dhe ushqime bazë për foshnja. Norma vlen edhe për importin. Lista e detajuar, me kodet e mallrave, del me vendim të Këshillit të Ministrave deri më 15 janar 2027.
  • 10% në vend të 6% për akomodimin në strukturat akomoduese dhe për hotelet dhe resortet me pesë yje me status special (pikat 3 dhe 4 të nenit 49).

Relacioni i TVSH-së e vlerëson efektin neto të normave në rreth -1.6 miliardë lekë: 21% sjell 10.6 miliardë, 6% për ushqimet kushton 12.8 miliardë dhe 10% për akomodimin sjell 593 milionë.

Për bizneset e vogla ndryshimi kryesor është pragu. Projektvendimi ndryshon VKM-në nr. 953/2014 dhe e ul pragun e regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim në vit kalendarik, me efekte nga 1 janari 2027. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, rreth 17 516 biznese me qarkullim mes 5 dhe 10 milionë lekësh hyjnë në TVSH, me 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë. Deri më 29 tetor vendimi nuk ishte miratuar, dhe as afati i regjistrimit për vitin e parë nuk ishte publikuar.

Lista e ushqimeve me 6% del pas 1 janarit, kur norma duhet të ketë nisur. Deri atëherë, artikujt në program nuk mund të lidhen me siguri me normën e re. Si funksionon fatura me TVSH në sistemin e fiskalizimit e kemi te udhëzuesi i fiskalizimit.

Karburanti pa taksë qarkullimi, makinat me taksë vjetore më të lartë

Projektligji për taksat kombëtare heq taksën e qarkullimit prej 27 lekësh për litër benzine dhe nafte (32.4 lekë me TVSH-në e sotme). Akciza e karburantit dhe taksa e karbonit nuk ndryshojnë. Barra kalon te taksa vjetore e mjeteve të përdorura, e cila llogaritet si cilindrata në cm3 x koeficienti i vjetërsisë x taksa fikse sipas karburantit:

Mjeti Taksa me projektligjin
Naftë, deri në 2 000 cm3 25 lekë për cm3 x koeficienti (sot 12.5)
Benzinë ose gaz, deri në 2 000 cm3 20 lekë për cm3 x koeficienti (te benzina sot 10)
Naftë / benzinë / gaz, mbi 2 000 cm3 26 / 21 / 21 lekë për cm3 x koeficienti
Makinë elektrike 15 000 lekë në vit
Motomjet elektrik 1 000 lekë në vit
Rimorkio dhe gjysmërimorkio 1 lekë/kg deri në 50 000 kg; 60 000 lekë mbi këtë peshë
Makinë luksoze, taksa shtesë 40 000 lekë në vit (sot 21 000)

Me koeficientët e shtojcës së re, një makinë me naftë 2 000 cm3 dhe 10 vjet vjetërsi paguan 2 000 x 0.24 x 25 = 12 000 lekë në vit, sot 6 000. Makinat deri në 3 vjeç, që sipas Monitor-it sot janë të përjashtuara, fillojnë të paguajnë: një makinë e re me naftë 2 000 cm3 paguan 7 500 lekë në vitin e parë. Taksa paguhet para kontrollit teknik vjetor. Për bizneset me flotë, kostoja shtesë e taksës kompensohet pjesërisht nga karburanti më i lirë.

Akciza e duhanit dhe procedurat tatimore

Akciza e cigareve rritet nga 7 750 në 8 100 lekë për 1 000 copë në 2027 dhe vazhdon të rritet çdo vit; nga 2030 shtohet një pjesë sipas çmimit të shitjes me pakicë. Biodizeli kalon nga akciza për kilogram në akcizë për litër.

Projektligji i procedurave tatimore ndryshon katër gjëra:

  • Pagesat cash. Gjoba 10% e vlerës së çdo transaksioni vlen tani edhe për shitjet ose blerjet me para në dorë me konsumatorët mbi kufirin, jo vetëm mes tatimpaguesve. Sipas relacionit, kufiri cash në transaksionet biznes-konsumator është 500 000 lekë.
  • Parapagimet. Parapagimet e papaguara të tatimit mbi të ardhurat hyjnë te detyrimet që mblidhen me forcë (neni 88).
  • Çmimet e transferimit. Dokumentacioni i çmimeve të transferimit që nuk dorëzohet në afat gjobitet me 100 000 lekë.
  • Çregjistrimi. Kontrolli për çregjistrimin bëhet pa afatin e njoftimit të nenit 81.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit, pa pritur 1 janarin. Nëse botohet në dhjetor, gjoba për pagesat cash mbi 500 000 lekë me konsumatorët mund të vlejë që në fund të vitit.

Çfarë nuk ndryshon

Paketa nuk ndryshon:

  • normat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, ndaj kalkulatori i kontributeve mbetet i vlefshëm;
  • pagën minimale, që është 50 000 lekë që nga 1 janari 2026;
  • tatimin mbi fitimin dhe normën 0% deri në 14 milionë lekë;
  • afatet e deklaratave mujore dhe vjetore, përfshirë DIVA-n për të ardhurat e 2026;
  • taksat vendore dhe ligjin e fiskalizimit.

Kur mund të hyjë në fuqi

Katër ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrijnë efektet nga 1 janari 2027. Sipas leximit tonë, nëse botohen pas mesit të dhjetorit, ato hyjnë në fuqi pas 1 janarit, por zbatohen që nga 1 janari. Ligji i procedurave nuk ka datë 1 janari dhe vlen 15 ditë pas botimit. Lista e ushqimeve me 6% ka afat deri më 15 janar 2027. Afatet e tjera të fundvitit janë te kalendari tatimor.

Çfarë të përgatisni para 1 janarit 2027

Gjithçka më poshtë varet nga miratimi, dhe shifrat mund të ndryshojnë në komision. Sipas nesh, këto janë hapat që ia vlen t’i nisni tani:

  1. Listëpagesa e janarit. Përgatitni shkallët e reja 13%, 23% dhe 30% me pragjet 300 000 dhe 700 000 lekë bruto në muaj. Gjeni punonjësit me statusin e aftësisë së kufizuar që përjashtohen nga TAP-i.
  2. Dividendët dhe llogaritë me ortakët. Mos vendosni për shpërndarjen e fitimit në dhjetor me normën 8% pa e ditur nëse vlen data e vendimit apo e pagesës. Kontrolloni huatë dhe paradhëniet për ortakët.
  3. Normat e TVSH-së në faturim. Përgatitni 21%, 10% dhe 6%. Lidhjen e artikujve me 6% bëjeni vetëm kur të dalë lista. Kontrolloni kontratat me çmime fikse për 2027, sidomos në turizëm.
  4. Pragu i TVSH-së. Llogaritni qarkullimin e 2026 për klientët mes 5 dhe 10 milionë lekësh dhe përgatitini për regjistrim, fatura me TVSH dhe deklaratë mujore.
  5. Pagesat cash. Shitjet me konsumatorët mbi 500 000 lekë kalojini në bankë.
  6. Parapagimet dhe çmimet e transferimit. Paguani këstet në afat dhe kini gati dokumentacionin e çmimeve të transferimit.
  7. Flota. Buxhetoni taksën vjetore të makinave afërsisht të dyfishuar.

Për mbylljen e vitit, lista e plotë e kontrollit është te mbyllja e vitit për zyrat e kontabilitetit.

Zgjidhja e rekomanduar: ndryshimet e 2027 në devBooks

Në modulin e burimeve njerëzore të devBooks, listëpagesa llogarit TAP-in dhe kontributet për çdo punonjës. Listëpagesën e janarit 2027 mund ta kontrolloni që tani me opsionin “Projektligji 2027” te kalkulatori i pagës; kur ligji të botohet, e përditësojmë me tekstin përfundimtar. Në kontabilitet dhe financë llogaritë e TVSH-së ndahen në të zbritshme, për t’u paguar, për t’u arkëtuar dhe për t’u rregulluar, dhe librat e shitjes e të blerjes plotësohen nga faturat që regjistroni. devBooks nuk merr vendime tatimore për ju: normën që vlen për një artikull ose një dividend e vendosni ju ose kontabilisti.

Burimet

Nëse doni që listëpagesa e janarit dhe faturat me normat e reja të dalin të rakorduara në librat tuaj, shihni çmimet e devBooks ose na shkruani për një demo me të dhënat tuaja.

Pyetje

Pyetje të shpeshta

  • A është miratuar paketa fiskale 2027?

    Jo. Këshilli i Ministrave i depozitoi pesë projektligjet në Kuvend më 28 tetor 2026, bashkë me buxhetin e 2027. Seanca e parë në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat është më 30 tetor. Pas saj vijnë votimi nen për nen, votimi në seancë plenare, dekretimi dhe botimi në Fletoren Zyrtare. Ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit, dhe katër prej tyre i shtrijnë efektet nga 1 janari 2027.

  • A rritet tatimi mbi fitimin në 17%?

    Jo. Rritja nga 15% në 17% ishte në draftet që dolën në media më 27 tetor, por qeveria e hoqi më 28 tetor dhe projektligji i depozituar nuk e prek normën. Tatimi mbi fitimin mbetet 15%. Edhe norma 0% për bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë mbetet deri më 31 dhjetor 2029, sipas ligjit në fuqi.

  • Sa tatim mbi pagën paguaj në 2027 sipas projektligjit?

    Baza tatimore vjetore tatohet me 13% deri në 3 240 000 lekë, me 23% deri në 8 040 000 lekë dhe me 30% mbi këtë shumë. Me zbritjen mujore prej 30 000 lekësh, kjo do të thotë 13% deri në 300 000 lekë bruto në muaj dhe 30% mbi 700 000 lekë. Kush ka pagë bruto mbi 200 000 dhe nën rreth 842 857 lekë në muaj paguan më pak se sot; kush ka mbi këtë shumë paguan më shumë. Për pagën tuaj, krahasoni 2026 me 2027 te kalkulatori i pagës.

  • Kur duhet të regjistrohem në TVSH me pragun 5 milionë lekë?

    Ulja e pragut nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim në vit nuk është në ligj, por në një projektvendim të Këshillit të Ministrave që ndryshon VKM-në nr. 953/2014, me efekte nga 1 janari 2027. Deri më 29 tetor ai nuk ishte miratuar dhe as afati i regjistrimit nuk ishte publikuar. Nëse qarkullimi juaj i 2026 është mes 5 dhe 10 milionë lekësh, përgatituni, por prisni vendimin para se të aplikoni.

  • Dividendi i vendosur në 2026 dhe i paguar në 2027 tatohet me 8% apo me 15%?

    Projektligji nuk ka dispozitë kalimtare për këtë rast: nuk thotë nëse vlen data e vendimit për shpërndarjen apo data e pagesës. Para se të merrni vendim për shpërndarjen e fitimit në dhjetor, prisni tekstin përfundimtar të ligjit ose një udhëzim të Ministrisë së Financave apo të DPT-së.

  • Çfarë ndodh me taksën e karburantit dhe me taksën e makinave?

    Taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër nafte dhe benzine hiqet. Në vend të saj, taksa vjetore e mjeteve të përdorura afërsisht dyfishohet: taksa fikse bëhet 25 lekë për naftën dhe 20 për benzinën dhe gazin deri në 2 000 cm3. Makinat elektrike paguajnë 15 000 lekë në vit dhe taksa e makinave luksoze rritet nga 21 000 në 40 000 lekë.

Blogu

Lexo edhe

Të gjitha postimet e blogut

Shikoni devBooks me të dhëna si tuajat

Ju tregojmë sistemin në një demo të shkurtër, mbi proceset e biznesit tuaj: kontabilitetin, faturat nga SelfCare, magazinën dhe raportet që ju duhen.

Kërko një Demo Falas

ose telefononi në ose shkruani në